30 kg kanabis e shotgun, shkatërrohet banda e drogës në Tiranë

2017-04-25 10

Policia e kryeqytetit ka shkatërruar një bandë që merrej me shitjen e drogës në disa zona të Tiranës.

Të arrestuarit janë Ilir Zyberi (Avdillari), 46 vjeç, i dënuar më parë, Fabian Zyberi (Avdillari), 20 vjeç, Gentian Boci, 32 vjeç, Odisjen Sakollari, 24 vjeç, D. A., 17 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Falë operacionit të koduar ?Qelqi?, efektivët e policisë kanë sekuestruar gjithashtu 30 kilogramë kanabis, si dhe një shotgun.

Pesë të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me njëri - tjetrin shisnin drogë në zona të ndryshme të Tiranës, si ajo e Kombinatit, Yzberishtit dhe Kasharit.

Për këta persona, mësohet se policia kishte informacione se posedonin një sasi të konsiderueshme kanabisi dhe këtë sasi e mbanin të fshehur në banesën e Ilir Zyberi, ku më pas do të bënin dhe shitjen e saj.

E pikërisht në banesën e këtij të fundit janë neutralizuar dhe arrestuar anëtarët e tjerë të bandës, të cilët po organizonin shitjen e drogës.

Policia sekuestroi pesë thasë me forma dhe përmasa të ndryshme me lëndë narkotike, 1 shotgun, 3 telefona celularë, 1 palë pranga dhe 1 thikë./tvklan.al